Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 23 dhjetor 2015, pra shtatë vjet më parë ka marrë vendim në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, me ç’rast me vendimin e saj pamundësoi themelimin e këtij institucioni pasi e gjeni në kundërshtim me shumë pika të Kushtetutës.
E sot me rastin e 7 vjetorit të vendimit të Kushtetueses, sheshi në kryeqytet është mbushur me përkujtime ‘mortore” për Zajednicën- Asociacionin, raporton KosovaNews
Këto letra ‘përkujtuese’, i kanë vendosur të rinjtë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe aty shkruhet se për këtë ngjarje të pikëlluar janë drejtues të shtetit serb.
Në kë listë të të pikëlluarve janë edhe disa politikanë e kriminel që kërkohen nga institucionet e sigurisë së Kosovës, madje janë të futur edhe në listën e zezë të ShBA-së.
“Sot mbushen 7 vjet nga vdekja edhe juridike e ‘Zajednicës’, e cila pas një sëmundje të rëndë e të pashërueshme ndërroi jetë. Të pikëlluarit: Aleksadar Vuçiq, Aleksandar Vulin, Ana Brnabiq, Ivica Daçiq, Milan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq, Mirolad Ulemek, Zvezdan Javanoviq, Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq”, thuhet në letrën përkujtimore të vendosur në Prishtinë.
Asociacioni ishte dakorduar të themelohej në një marrëveshje të arritur në Bruksel nga ish drejtuesit e qeverisë, Hashim Thaçi dhe Isma Mustafa, por kjo kishte nxitur reagime të shumta në vend dhe mandej ka qenë dërguar në Kushtetuese.
Në vendimin e Kushtetueses thuhej që parimet e përgjithshme, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.
“(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre” , thuhet në vendimin e GJK-së ndër të tjera.
Ndërkohë, edhe sot kjo temë është aktuale dhe drejtuesit e institucioneve në Serbi po kërkojnë për themelimin e Asociacionit.
Mirëpo, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur në shumë raste se nuk do të ketë asociacion njëetnik dhe institucione që minojnë brenda shtetin e Kosovës./KosovaNews

