Tre persona janë arrestuar në Skënderaj si të dyshuar për sulm seksual ndaj dy vajzave të mitura, të moshës nëntë dhe 11 vjeçare.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se një burrë raportoi se dy vajzat e tij të mitura i kishte ftuar në banesë një grua dhe i kishte njoftuar me dy burra.
Sipas raportimit të tij, dy burrat i kanë ngacmuar vajzat e mitura duke i nxitur të martohen.
Rasti raportohet të ketë ndodhur më 2 shtator.
“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se një femër kosovare ka ftuar në banesën e saj dy vajzat e tij të mitura 9 dhe 11 vjeç dhe sipas tyre, aty kanë qenë dy të dyshuar meshkuj kosovarë të afërm të të dyshuarës dhe i kanë ngacmuar me fjalë vajzat e mitura dhe i kanë nxitur të martohen në moshë të re. Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, njoftoi Policia Kosovës.


