Presidentja Vjosa Osmani në konferencën e përbashkët për media me homologun e saj kroat Zoran Milanoviq, ka kërkuar ndëshkimin e Serbisë për aktin agresor ndaj Kosovës, ndërsa tha se duhet të shtohet siguria në kufirin me Serbinë.
Presidentja Osmani ka thënë se pret nga bashkësia ndërkombëtare qartësi strategjike, ndërkaq nga Kroacia vazhdim të bashkëpunimit për këtë sfidë të sigurisë.
“Kosova në periudhën e fundit po përballet me një prej situatave më të rënda në 25 vitet e fundit, shkaku i veprimeve hibride nëpërmjet aktiviteteve terroriste dhe agresionit të sponsorizuara dhe urdhëruar nga Serbia. Shpresoj që partnerët ndërkombëtarë do të dëshmojnë qartësi strategjike dhe veprime të vendosura për ta ndaluar përpjekjen e Serbisë për destabilizim jo vetëm të Kosovës, por gjithë rajonit”, ka thënë Osmani.
Sipas Osmanit, pas aktit të agresionit të 24 shtatorit, fokusi duhet të jetë vënia e gjithë autorëve të këtij akti para drejtësisë së Republikës së Kosovës.
Ajo paralajmëroi se mosndëshkimi i Serbisë mund të sjellë sulme të reja nga ajo ndaj Kosovës.
“Marrja e garancive të forta të sigurisë, sidomos për ta ruajtur kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe frenimi i Serbisë, sanksionimi i Serbisë për veprimet e saj si masë parandaluese për sulmet e tjera në të ardhmen… Nëse s’ndërmerren masa nga komuniteti euroatlantik, Serbia do të ndihej më e fuqishme dhe më e inkurajuar nga mosndëshkimi”, është shprehur ajo.
Presidentja Osmani edhe në Kroaci tha se është dëshmuar nga të gjitha provat e mbledhura nga veriu pas sulmit se qëllimi i Serbisë është aneksimi i veriut.
Tutje Osmani ka ngritur paralele mes Kroacisë, e cila është përballur me agresionin serb në vitet e 90’ta dhe mes Kosovës që po vazhdon të ndjejë këtë agresion edhe sot.
“Ka pak shtete në Evropë që e kuptojnë sfidën me të cilën po përballemi, kush më mirë se Kroacia. Kroacia në fillim të viteve të 90’ta u përball me grupet paramilitare serbe që kishin mbështetjen politike, financiare, organizative dhe ushtarake nga regjimi i atëhershëm në Beograd. Ndaj siç ka qenë deri më tani, presim mbështetjen e Kroacisë në këtë sfidë të rëndë të sigurisë, e cila nuk synon destabilizimin vetëm të Kosovës por mund të ketë pasoja shumë më të gjera”, ka deklaruar presidentja e Kosovës.


