Presidentja e vendit Vjosa Osmani është deklaruar për vizitën që ka zhvilluar gjatë ditës së sotme në Mal të Zi, me ç’rast ka theksuar se do të vazhdohet forcimi i partneritetit dhe fuqizimi i përpjekjeve kundër tendencave anti-demokratike dhe destabilizuese në rajon që po bëjnë disa shtete.
Osmani tha se e ardhmja e Kosovës dhe Malit të Zi është në Bashkimin Evropian dhe së bashku do të punojmë për të realizuar këtë synim të qartë.
“Me Presidentin Millo Gjukanoviq. diskutuam për rëndësinë e koordinimit të përbashkët për ta forcuar partneritetin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe fuqizimin e përpjekjeve tona kundër tendencave anti-demokratike dhe destabilizuese në rajonin tonë. Raportet në mes të vendeve tona janë të ndërtuara mbi frymën e respektit të ndërsjelltë, bashkëpunimit dhe përkushtimit të dyanshëm për të ardhmen tonë të euroatlantike”, ka shkruar në deklaratën e saj Osmani.
Osmani po qëndron në Podgoricë me ftesë të homologut të saj, ndërsa do të takojë edhe kryeministrin e Malit të Zi, raporton KosovaNeës.
Presidentja Osmani është pritur me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe vizita në komunën e Ulqinit dhe atë të Tuzit.