Presidentja Vjosa Osmani , ka thënë se në paraqitjet e deritashme në Lojërat Olimpike në Paris 2024, Kosova ka demonstruar shpirt luftarak, profesionalizëm dhe këmbëngulje.
Në një postim në Facebook, Osmani ka theksuar se të gjithë garuesit olimpikë duhet ta dinë se pavarësisht nëse fitojnë medalje apo jo, Kosova është me ta në çdo hap dhe çdo sfidë.
“Teksa paraqitjet e tjera po i përcjellim nga Kosova, shpresoj që të gjithë garuesit tanë ta dijnë se pavarësisht se a fitojnë medalje apo jo, Kosova është me ta në çdo hap e në çdo sfidë”, ka shkruar presidentja Osmani në Facebook.
Presidentja Osmani ka thënë se një e argjendtë nga Distria Krasniqi dhe duele të tjera sfiduese janë dëshmi e vendosjes së shtetit në majat e sportit botëror.
“Një e argjendtë dhe duele të tjera jashtëzakonisht sfiduese janë dëshmi e vendosjes së shtetit tonë në majat e sportit botëror. Dje, fati nuk ishte në anën tonë as në garat e xhudos e as në atë të boksit, pavarësisht punës së pareshtur e paraqitjes së jashtëzakonshme të sportistëve tanë”, ka shkruar mes tjerash ajo.