Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot delegatin apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovën, me të cilin ka biseduar për raportet ndërmjet dyja vendeve.
Siç raportojnë nga Zyra e Presidentes, Osmani i ka shprehur nuncit Speich mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për kujdesin që Selia e Shenjtë dhe ati i shenjtë, Papë Françesku, kanë treguar në vazhdimësi ndaj Kosovës.
Ajo është shprehur e lumtur për gatishmërinë e Selisë së Shenjtë që t’i ofrojë Kosovës prani të përhershme në Vatikan, nëpërmjet themelimit të Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë.
“Themelimi i misionit është rezultat i angazhimit tonë të përbashkët për afrimin e vendeve tona dhe thellimin e bashkëpunimit të përbashkët për paqe”, ka thënë Presidentja Osmani.
Në mënyrë të veçantë Presidentja e ka falëndeuar nuncin Speich për angazhimin e tij për përparimin e vazhdueshëm të raporteve mes Selisë së Shenjtë dhe Kosovës.
Presidentja dhe nunci Speich kanë diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.
Kosova, ka thënë presidentja Osmani, “ka traditë të gjatë të bashkëpunimit më Selinë e Shenjtë dhe ne jemi të përkushtuar që këtë traditë të mirë të bashkëpunimit ta thellojmë edhe më tej”, thuhet në komunikatën e presidencës.
Nunci Speich, ndërkaq, e ka falënderuar Presidenten Osmani për pritjen dhe u shpreh i lumtur që raportet e Selisë së Shenjtë me Kosovën janë thelluar ndjeshëm. Sipas tij, themelimi i Misionit të Kosovës në Vatikan është hap i rëndësishëm për raportet mes dy vendeve.