Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se Izraeli, i cili zhvilloi një luftë 12-ditore me Iranin muajin e kaluar, u përpoq ta vriste atë duke bombarduar zonën ku ai po mbante një takim, shkruan The Guardian .
“Ata u përpoqën, po. Ata ndërmorën veprime, por dështuan”, tha Pezeshkian, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse ai besonte se Izraeli ishte përpjekur ta vriste.
Intervista, e zhvilluar nëpërmjet një përkthyesi, ishte një nga të parat që presidenti iranian u ka dhënë mediave perëndimore që nga lufta.
“Nuk janë Shtetet e Bashkuara, është Izraeli. Isha në një takim… ata u përpoqën të bombardonin zonën ku po e mbanim atë takim”, tha presidenti iranian.
Ndryshe, një përpjekje për të vrarë Pezeshkian, i cili u zgjodh president verën e kaluar, do të ishte një hap cilësisht i ndryshëm nga Izraeli dhe do të tregonte se Izraeli jo vetëm që dëshiron të dobësojë udhëheqjen ushtarake të Iranit dhe shkencëtarët nga programi bërthamor, por edhe të shkatërrojë udhëheqjen politike.
Kujtojmë se gjatë luftës 12-ditore, Trump herë pas here mbështeti ndryshimin e regjimit, por dukej më i përmbajtur ndërsa fushata vazhdonte.
Ai tani flet për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme me Iranin, por detajet e asaj që SHBA po i ofron Iranit janë të paqarta.