Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se ky përvjetor i 18-të i pavarësisë është dëshmia që Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm.
Ai në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, ku u mbajt seanca solemne në 18 vjetorin e pavarësisë, tha se Kosova ecën drejt së ardhmes, duke mos harruar themelet mbi të cilat u ndërtua.
“Sot Kosova mbush 18 vjeç; në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë. Momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësisë. Në jetën e një shteti, ky përvjetor është dëshmia se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran. Kosova ishte vendi ku liria vritej; sot është vendi ku liria funksionon, ku liria frymëzon. Kosova e sotshme është një shtet i ri në vite, por me rrënjë të thella sakrificash, kontributesh dhe meritash. Ecën me hapa të sigurt drejt të ardhmes, pa harruar kurrë themelet mbi të cilat u ndërtua”, tha Begaj


