Presidenti i Maltës, George Vella, do të pritet të dielën në takim nga homologia e tij kosovare, Vjosa Osmani.
Vella po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë me ftesën e Osmanit, ku po merr pjesë në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ai do të pritet nga Osmani me ceremoni shtetërore.
“Ceremonia e pritjes do të mbahet në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ ku do të pritet me gardën ceremoniale në orën 10:00. Mediat do të marrin pamje në pritjen ceremoniale dhe në fillim të takimit, ndërsa më pas Presidentja Osmani dhe Presidenti Vella do të mbajnë konferencë për media. Mediat e interesuara për përcjelljen e ceremonisë së pritjes si dhe pamjet nga takimi, duhet të jenë në Presidencë më së largu në orën 09:15”, thuhet në njoftim.
E gjatë vizitës së presidentit të Maltës në Kosovë, do të ketë ndërprerje të përkohshme të disa segmenteve rrugore.
Gjatë kësaj vizite, Policia e Kosovës do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore, kryesisht në kryeqytet ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Policisë së Kosovës.
Kujtojmë se nga 21 deri 23 tetor 2022, me iniciativë të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, organizohet edicioni i parë i Forumit të grave për paqe dhe siguri në Republikën e Kosovës.
“Për të mundësuar mbarëvajtjen e këtij evenimenti janë parapare planifikime operacionale nga Policia e Kosovës, duke filluar nga sot datë 21 tetor 2022 ku pritet të vijnë personalitete nga vende të ndryshme si dhe me datë 22 tetor ku mbahet evenimenti kryesor, e deri në përfundim me datë 23 tetor 2022”, njofton Policia./KosovaNews/