Aktivistët e të drejtave të grave kanë kritikuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron, të enjten duke thënë se ai po mban anën e aktorit Gerard Depardieu, që po hetohet për përdhunim, raporton agjencia “AP”.
Macron kishte thënë se ylli francez i filmit e bën “Francën krenare”.
Duke folur të mërkurën mbrëma në kanalin televiziv francez “France 5”, Macron e përshkroi veten si “admirues të madh të aktorit të madh”.
“Ai e bën Francën krenare”, kishte thënë Macron.
Komentet e Macronit erdhën pasi një dokumentar që u transmetua më herët këtë muaj, tregoi se 16 gra e kanë akuzuar Depardieun për përdhunim, ngacmim, prekje dhe sulm seksual.
Po ashtu një gazetare spanjolle kishte bërë ankesë ndaj Depardieus, duke thënë se është abuzuar seksualisht nga ai gjatë një interviste që bëri në Paris në vitin 1995, ka njoftuar policia spanjolle.
I pyetur për akuzat e fundit ndaj Depardieus, Macron ka thënë se beson në perzumimin e pafajësisë dhe në procesin gjyqësor.
“Nuk do të më shihni të marrë pjesë në një ‘gjueti njerëzore’”, tha Macron.
Macron po ashtu kritikoi vendimin e ministres së Kulturës të Francës, Rima Abdul-Malak, e cila nisi procedurë disiplinore në lidhje me Depardieun, që mund të çojë deri te heqja e Urdhrit “Legjioni i Nderit”. Macron tha ministrja “ekzagjeroi pak”.
“Legjioni i Nderit” nuk është “vegël morale” dhe nuk “duhet hequr bazuar në një dokumentar”, tha Macron.
Gerard Depardieu
Depardieu 74-vjeçar ka filluar të hetohet në dhjetor të vitit 2020 për përdhunim dhe sulm seksual pas pretendimeve të bëra në vitin 2018 nga aktorja Charlotte Arnould, që tha se krimi ndodhi në shtëpinë e Depardieus. Hetimet po vazhdojnë.
Gazetarja Ruth Baza bëri ankesë javën e kaluar në qytetin jugor spanjoll Torremolinos, tha policia spanjolle dhe tash do t’i përcillet autoriteteve franceze.
Baza 51-vjeçare, i tha gazetës “La Vanguardia” këtë javë se ishte 23-vjeçare dhe intervistoi Depardieun në Paris për revistën “Cinemania”. Baza tregoi se si aktori e puthi në fytyrë dhe qafë dhe se nisi edhe ta prekte te këmbët. Ajo tha se policia e ka klasifikuar këtë sjellje të tij si përdhunim.
Baza tha se e kishte larguar këtë çështje nga koka, por iu kthye kur lexoi për akuzat e bëra nga 13 gra kundër Depardieus.
Një ankesë tjetër u deponua në Francë në shtator nga aktorja Helene Darras që e akuzoi Depardieun për sulm seksual. Darras tha se Depardieu e preku kur ishte shumë e re dhe po punonte në filmin “Disco” në vitin 2008.
Aktivistët e të drejtave të grave të enjten kanë reaguar ashpër ndaj komenteve të bëra nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Michelle Dayan, presidente e “Juristët për Gratë”, ka thënë se si juriste e qytetare, ajo beson fuqishëm në perzumimin e pafajësisë.
“Por, nuk duhet të përdoret si pretekst për të mos dëgjuar gratë që thonë se ishin viktima të abuzimeve”, ka thënë ai.
Duke folur për transmetuesin e lajmeve “France Info”, Dayan tha se “dhuna kundër grave fillon aty…në imazhin e grave që përcillet përmes komenteve tronditëse të Depardieus”.
Grupi i aktivistëve “Osez le feminisme”, ka reaguar në platformën “X” ndaj Macronit.
“Një tjetër konfirmim, përfundimisht, se Emmanuel Macron nuk jeton në botën e njëjtën me ne. Ne, gjahu, po përballemi me një burrë (Depardieun) që e përshkruan veten si një ‘gjahtar të madh’, por që, sipas fjalëve të presidentit, bëhet viktimë e një ‘gjuetie njerëzore’”, është thënë nga grupi.
Anne-Cecile Mailfert, presidente e Fondacionit të Grave, tha në “BFM TV” se komentet e Macronit ishin “shumë serioze”.
“Ai po gjykon gratë që paraqitën ankesë, gratë që folën…Ai po mban anë”, tha Mailfert.
Ish-presidenti i Francës, Francois Hollande, po ashtu ka bërë thirrje për ta kundërshtuar Macronin.
“Jo, ne nuk jemi krenarë”, ka thënë Hollande për “France Inter”. “Ajo që pritej nga presidenti ishte të fliste për gratë që shohin në fjalët e Depardieus, dhunë, dominim e përbuzje”.
Në tetor, Depardieu botoi një letër të hapur në gazetën franceze “Le Figaro” ku thoshte: “Dua të them të vërtetën. Unë kurrë, nuk kam abuzuar me ndonjë grua”.


