Superylli portugez Cristiano Ronaldo ka thyer rekord duke u bërë lojtari i parë që luan në gjashtë Evropiane.
Rekord vendosi edhe Pepe, i cili në moshën 41 vjeç e 113 ditë, u bë lojtari më i vjetër në historinë e Kampionatit Evropian.
Në natën speciale të Ronaldos 39-vjeçar dhe Pepes, Portugalia shënoi fitore në ndeshjen e parë të Evropianit.
Portugalia e fitoi ndeshjen ndaj Çekisë me rezultatin 2:1. Kjo ndeshje e zhvilluar të martën mbrëma i takoi Grupit F të “Euro 2024”.
Portugezët dominuan në fushë, por golin e fitores e shënuan vetëm në minutën e 92-të.
Fitoren ia siguroi, Francisco Conceicao. Lukas Provod i ka dhënë epërsinë Çekisë ndaj Portugalisë. Provodi shënoi gol të bukur në minutën e 62-të.
Portugalia barazoi rezultatin në 1:1 me autogolin e minutës së 69-të nga mbrojtësi çek, Robin Hranac. Dhe, golin e fitores e shënoi Conceicao, pak pasi iu anulua goli i shënuar nga Diogo Jota. Jota shënoi me kokë pas topit të kthyer nga shtylla të cilën e qëlloi Ronaldo. Por Ronaldo ishte më i avancuar kur gjuajti drejtë portës së çekëve. Portugalia ndeshjen e dytë e ka ndaj Turqisë më 22 qershor, kurse Çekia kundër Gjeorgjisë.


