Në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka thënë gjatë paraqitjes në një konferencë për media pas aktit të nënshkrimit se me këtë rast është mbyllur një proces i gjatë që kishte edhe pengesa gjatë rrugës.
“Ka marrë 11 vjet kohë. Kishte ngecur në Këshill për shumë vjet. Por kemi punuar ngushtë me të gjitha shtetet anëtarë që kjo të bëhej e mundur”, është shprehur Bislimi.
Ai ka falënderuar të gjithë qytetarët për durimin, ndërsa tha se do të bëjmë fushata për t’i njoftuar ata se çfarë është dhe çfarë nuk është liberalizimi.
Bislimi ka thënë se me heqjen e liberalizimit të vizave, kosovarët do të ndjehen më evropianë.
“Është mesazh për qytetarët se edhe ne jemi pjesë e Evropës. Ka të bëjë me studentët, sportistët, të cilët mund ta eksplorojnë Evropën”.
Ai ka theksuar më tej se me këtë vendim, nuk do të ketë më pengesa për sportistët e artistët, të cilët janë penguar të marrin pjesë nëpër ngjarje, shkaku i mosdhënies së vizave.
Një ditë më herët, më 18 prill, Parlamenti Evropian e miratoi vendimin për vizat, duke përmbyllur procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.
Miratimi u bë pa votim, pasi nuk pati asnjë kundërshtim, dhe i hapi rrugën qytetarëve të Kosovës që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, së bashku me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schëarz.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në selinë e Parlamentit Evropian, dhe u drejtua nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola.
Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe një përfaqësues i Suedisë, meqë ky shtet kryeson Bashkimin Evropian në këtë periudhë.
Pas nënshkrimit të vendimit, hapi i fundit mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare.
Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.


