Grupi i ngushtë ndërministror pas vrasjes së gruas shtatzënë të mërkurën në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, ka mbajtur takim me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional.
E pas takimit që është mbajtur me dyer të mbyllura, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu doli në një konferencë për medie, ku ka paralajmëruar se do të ketë përgjegjësi dhe varësisht të gjeturave do të ketë edhe dorëheqje e shkarkime.
“Momenti që do të verifikohet hallka dështuese institucionale, personi përgjegjës do të japë dorëheqje. Ju garantoj që nëse shohim dështim në hallkat institucionale, do të ketë dorëheqje apo shkarkime”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu tha se nga të dhënët e deritashme kanë mësuar se shtatzëna e vrarë e kishte raportuar bashkëshortin e saj në korrik të këtij viti për dhunë psiqike dhe fizike, dhe prokuroria, personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt.
“Pesë ditë, dy jetë të humbura dy gra të vrara nga bashkëshortët e tyre. Kemi diskutuar për veprimet ndërinstitucionale dhe sipas informacioneve nga Polica e Kosovës, viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psikike dhe fizike dhe Prokuroria të dyshuarin e kishte liruar me procedurë të rregullt. Është një papërgjegjësi institucionale dhe e prokurorit të rastit sepse në vazhdimësi po bëjmë thirrje për mbrojtje të grave dhe vajzave”, tha Haxhiu.
Haxhiu gjithashtu pati kritika për mospjesëmarrjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës në takimin e sotëm të thirrur për rastin e vrasjes.
“Do duhet të kishin qenë, së paku për ndërgjegje morale e njerëzore. Nuk kam koment për veprimin e tyre”, vazhdoi Haxhiu./KosovaNews