Deputeti i PDK-së Hisen Berisha sot në Kuvendin e Kosovës hodhi akuza të rënda në drejtim të partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje. Berisha akuzoi këtë parti se nuk ka bërë asgjë për zbardhjen e rastit të Astrit Dehari dhe e akuzoi për sulmin me granatahedhës në Kuvend duke aluduar se prapa këtyre sulmeve qëndron vetë Lëvizja Vetëvendosje.
Hisen Berisha madje shkoj edhe më tutje, ku në prezencë të Avni Deharit e përmendi edhe rastin e vetëvrasjes së vëllait të Astrit Deharit, Arbnor Dehari i cili vite më parë u hodh nga ballkoni i një ndërtese në Prishtinë.
Pas këtyre akuzave reaguan deputetët e Vetëvendosjes dhe vetë ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu duke u rënë tavolinave në shenjë proteste.
Nën këtë atmosferë të tensionuar reagoi edhe deputeti i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje i cili vjen nga radhët e Partisë GUXO, Burim Meta.
Deputeti Meta nga ulësja e Kuvendit i tha Hisen Berishës se kjo gjë është e turpshme se çfarë po bën.
“Kjo është marre për ty deputet, është jonjerëzore se çka je duke thënë” dëgjohet duke i thënë deputeti Meta deputetit të PDK-së Hisen Berisha.
Në xhirimet e kapura nga kamera e KosovaNews deputeti Berisha i kundërpërgjigjet Burim Metës duke i thënë që ta mbyllë gojën.
“Mshele gojën asnjë za, që e ki personale hajde dalim jashtë të kallxoj” dëgjohet duke i thënë Hisen Berisha deputetit Burim Meta.
Ndërkohë gjatë seancës deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha ka porositur bashkepartiakët e vet që t’u kundërpërgjigjen deputetëve të Vetëvendosjes pas akuzave që bëri gjatë fjalimit në Kuvend.
Ai madje ka përdorë edhe fjalë fyese për deputetët e Vetëvendosjes, duke i quajtur lakej, ndërsa është xhiruar duke u dhënë porosinë bashkëpartiakëve.
“Reagoni ndaj qetyre lakejve kur ta merrni fjalën. Te paktën mos mi lejoni mem fafshu (kafshu v.j.)”, shkroi ai në mesazhin telefonik për bashkëpartiakët kur pas fjalimit u ul në vendin e vet në sallën e Kuvendit.
E për gjithë këtë politikë me rastin e Astrit Deharit ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka kërkuar qetësi në sallë duke thënë se do t’ia sqarojë rastin deputetit Berisha.
Konjufca ka thënë se nëse di diçka, le të shkojë në prokurori.
“Edhe ju e dini fort mirë që përpjekja për ta lidhur LVV-në me atë sulm ka qenë një proces i montuar gjyqësor me prapavijë politike. Zoti Berisha për këtë ka vendim gjykate që i ka liruar personat e dyshuar. Nëse dini diçka më shumë unë e kisha ftuar prokurorin të ju marrë në pyetje. A çka do që kanë ditë institucionet i kanë liruar këta persona çka na nxjerr në konstatimin që ka qenë proces i montuar”, ka thënë Konjufca.