Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha në seancën e sotme parlamentare ka folur në lidhje me rastin e Astrit Deharit që gjeti vdekjen në qendrën e paraburgimit në Prizren në vitin 2016, ndërsa ka folur edhe për sulmin që kishte ndodhur në objektin e Kuvendit të Kosovës, duke aluduar në fajësimin e aktivistëve të Vetëvendosjes.
Mes tjerash ai ka thënë se janë dy “parakushte” për ta zbardhur rastin.
Berisha ka ndërlidhur këtu edhe rastin e humbjes së jetës vëllait të Astrit Deharit, Arbënorit, ndërsa ka aluduar se “nëse zbardhet rasti i sulmit në objektet e institucioneve do të ishte tërmet për VV-në”.
“Parakushti i parë është të zbardhet e rastit terrorist në sulmet në Presidencë dhe objekt të Qeverisë. Por rasti mbi këto s’pres ta zbardhni sepse tërmeti politik do të binte mbi subjektin tuaj. Parakusht i dytë është zbardhja e rastit të vetëvrasjes së Arbënorit. Cilat ishin motivet që e shtynë në vetëvrasje? Për shkak të ndjeshmërisë, askush s’e ka marrë guximin të flasë publikisht, por tani është sekret publik që përfliten emra zyrtarësh me të cilët ka qenë i involvuar dhe në rolin e sinjalizuesit. Indikativë mbetet po ashtu edhe emërimi i rrugëve të Prishtinës me emrin vëllezërit Dehari. E unë pyes se cili ishte roli i tyre? A bëhet për heshtjen e familjes duke tentuar t’i fusin në histori. Së fundmi ndodhi vjedhja e mostrave dhe në vend që ministrja të marrë përgjegjësi ajo filloi me akuzua prapë opozitën. Po ndihem keq që po duhet ta hap këtë çështje para bacës Avni, por e di se Astrit Dehari ishte kundër marrëveshjes që sot i ka nënshkruar Qeveria”, ka thënë Berisha.
Kjo ka nxitur reagime të shumta në Kuvend dhe Berisha është penguar të flasë nga deputetët e VV-së të cilët në shenjë revolte kanë bërë zhurmë nga ulëset e Kuvendit të Kosovës. Njëjtë ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
E për gjithë këtë politikë me rastin e djeshëm të Astrit Deharit ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka kërkuar qetësi në sallë duke thënë se do t’ia sqarojë rastin deputetit Berisha.
Konjufca ka thënë se nëse di diçka, le të shkojë në prokurori.
“Edhe ju e dini fort mirë që përpjekja për ta lidhur LVV-në me atë sulm ka qenë një proces i montuar gjyqësor me prapavijë politike. Zoti Berisha për këtë ka vendim gjykate që i ka liruar personat e dyshuar. Nëse dini diçka më shumë unë e kisha ftuar prokurorin të ju marrë në pyetje. A çka do që kanë ditë institucionet i kanë liruar këta persona çka na nxjerr në konstatimin që ka qenë proces i montuar”, ka thënë Konjufca.
Diskutimi ka përshkallëzuar, me Berishën i cili i është drejtuar një deputeti të VV-së duke i thënë se “nëse ke diçka personale dalim jashtë”.