Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq e ka quajtur të turpshëm veprimin e policisë serbe, e cila ka ndaluar dhe po e mban në pikën kufitare politikane serbë nga Kosova, Rada Trajkoviq.
Rashiq pasi i ka kërkuar kabinetit qeveritar që të gjejë një mënyrë që t’ia mundësojë këshilltares së tij, Rada Trajkoviq, lëvizjen e lirë pasi kjo e fundit është ndaluar në pikën kufitare në Merdar prej disa orësh, doli në konferencë për media e dha disa detaje.
Ministri e quajti të turpshëm veprimin e regjimit të Qeverisë së Serbisë, e cila duke ndaluar e malltretuar serbët që nuk mendojnë njësoj si ata, po mundohet të sjell frikë te popullata.
“Është e turpshme maltretimi që po i bëhet Rada Trajkoviqit, një gruaje që është e sëmurë me diebet dhe i duhet që vazhdimisht të merr insuline. Kam kërkuar nga kabineti qeveritar që të vihen në dijeni edhe autoritetet ndërkombëtare për këtë rast dhe presin që kjo të merr fund”, ka thënë mes tjerash Rashiq.
Ndërkohë, është bërë e ditur se nga Ministria e Punëve të Jashtme veçse janë ndërmarrë hapa.
Ministrja Donika Gërvalla ka thënë gjatë mbledhjes së Qeverisë se janë drejtuar në Zyrën e BE-së dhe se janë kontaktuar ambasadat e shteteve të QUINT-it.
“Me të marrë informacionin sot në mëngjes që këshilltarja mbahet në kufi dhe nuk lejohet lëvizja e saj, përmes zyrës sonë në Beograd kemi ndërmarrë të gjithë hapat zyrtarë për informimin e Zyrës së BE-së që është garancë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës brenda BE-së. Zyra jonë është aktive për të siguruar lëvizje. E di që edhe ambasadat e QUINT-it që i kam kontaktuar, janë në lëvizje edhe në Beograd edhe në Prishtinë dhe po shpresoj se do jetë kohë e shkurtër deri kur ajo të mund të lëvizë”, ka thënë Gërvalla.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti ka shtuar se “do të shoh se çfarë mund të bëj sot paradite që Trajkoviqi të mund të lëvizë”./KosovaNews