Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje i kanë vazhduar reagimet lidhur me thirrjet e ndërkombëtarëve, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kësaj ardhe është deputeti Dimal Basha, i cili theksoi se Kosova e ka Asociacionin e komunave të saj, ku kryetar është kryetari i komunës së Ferizajit, Agim Aliu dhe aty ka vend nëse duan edhe komunat serbe.
“Jam i bindur që ka vend edhe për komunat me shumicë serbe me iu bashkangjit këtij Asociacioni! Nëse mendojmë me bashkëjetu me një Republikë, atëherë bashkëjetojmë edhe me një Asociacion. Përndryshe ndarja e komunave në asociacione të ndryshme paralele mbi baza etnike është prelud për ndarje të Kosovës”, ka shkruar deputeti Basha.

Kohën e fundit faktori ndërkombëtar është duke rritur trysninë mbi Kosovën për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Qeveria e Kosovës vazhdon të kundërshtoj një krijim të tillë që bie ndesh me Kushtetutën e vendit.
Ndërkohë që Qeveria po kundërshton, faktori ndërkombëtar po planifikon takime me subjektet politike nga opozita dhe shoqëria civile për këtë çështje.
E sot më herët ka reaguar deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, i cili prerë ka thënë se pavarësisht gjithë këtyre zhvillimeve, Zajednica nuk kalon.
“Nuk e di çka Vuqiqi e Brnabiqi i kanë premtuar Cholletit dhe Escobarit, por: Zajednica nuk kalon!”, ka thënë prerë e shkurt Abrashi.
Kujtojmë se marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është nënshkruar 10 vjet më parë. Por, ajo nuk është zbatuar asnjëherë. Atë e nënshkruan krerët e Qeverisë që udhëhiqej nga LDK dhe PDK.