Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Dëshmorëve të komunës së Prishtinës, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve.
Republika e Kosovës, sipas Presidentes Osmani është ideali i shumë brezave dhe kontribut i dëshmorëve të UÇK-së, të cilët e përmbushën ëndrrën tonë për liri dhe shtet.
“Sot përkulemi para veprës së të gjithë dëshmorëve të UÇK-së nga komuna e Prishtinës, të cilët mbrojtën dinjitetin tonë, na bën krenarë me heroizmin e tyre duke dhënë jetën për lirinë tonë, për shtetin tonë. Ata do të jenë përherë udhërrëfyes për brezat dhe kujtesa jonë për rrugën nëpër të cilën kemi kaluar deri te liria. Dëshmorët e UÇK-së, janë kujtimi dhe motivi i përhershëm për Republikën e Kosovës”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Gjatë bashkëbisedimit me familjarë të të rënëve, kryetari Glauk Konjufca tha se pa sakrificën e dëshmorëve e të martirëve liria dhe shteti i Kosovës nuk do të arriheshin.
“Të gjitha këto masakra janë akte të qarta të gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi mbi popullin shqiptar të Kosovës. Qëllimi ishte shfarosja e popullit tonë, meqenëse nuk u kursyen as fëmijë, gra e pleq. Për të gjitha këto krime asnjëherë nuk do të pushojmë së kërkuari drejtësi”, tha kryetari Konjufca.


