Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar tri marrëveshje që u nënshkruan në kuadër të Procesit të Berlinit në fillim të nëntorit të vitit 2022.
Ekzekutivi miratoi shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.
Miratoi edhe shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.
Qeveria miratoi edhe shqyrtimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Albin Kurti tha se këto projektligje do të dërgohen në Kuvend për ratifikim.
“Pas përfundimit të procedurave të brendshme nga institucionet tona, i kemi sjell për aprovim në Qeveri e prej këtu do t’i dërgojmë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim. Ratifikimi i shpejtë i tyre është tregues i përkushtimit dhe angazhimit tonë për bashkëpunim rajonal, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe avancim drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti.
Më 3 nëntor 2022, kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan në Berlin tri marrëveshjet që ishin dakorduar më herët.


