Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka komentuar arrestimin e personit të tretë të dyshuar për sulmin brutal që ka ndodhur ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu i vendit.
Policia e Kosovës njoftoi në orët e paradites se sot në orët e hershme të mëngjesit është arrestuar i dyshuari i radhës, mashkull serb U.V., me vendbanim në një fshat të komunës së Leposaviqit, i dyshuar për përfshirje në një rast sulm ndaj mediave/gazetarëve.
Ministri Sveçla tha se për tri ditët e fundit, janë tre të arrestuar për sulmet brutale dhe kriminale ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu i vendit.
Ai tha se i arrestuari i tretë, i radhës, është Urosh Vukasinoviq.
Në këtë rast ministri theksoi se këta kriminelë, të cilët po marrin urdhra për këto sulme nga Beogradi, tashmë do të përballen me drejtësinë.
“Nuk do të ndalemi, çdo përgjegjës për dhunën dhe aktet kriminale ndaj gazetarëve, do të arrestohet. Republika e Kosovës është vend shembull i funksionimit të demokracisë, dhe nuk do të lejojmë askënd, me asnjë çmim të sulmojë qytetarët, të frikësojë raportimin e gazetarëve dhe cenojë rendin tonë kushtetues”, ka shkruar në reagimin e tij ministri Sveçla.


