Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, në konferencën për media së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, tha se pritjet e tij që shtetet e BE-së të marrin vendim pozitiv për vizat janë të larta.
“Për ta kuptuar thjesht, është proces që përbëhet nga aspektet teknike dhe politike. BE-ja do të rishikojë pjesën teknike dhe presidenca çeke shpreson që aspekti politik të marrë vendim pozitiv. Pritjet e mia nga vendimet politike janë të larta dhe është shumë e lartë në agjendën time. Kam kërkuar nga ministri i Jashtëm i Holandës qëndrimin e tij, por ai ka thënë se do të shohim aspektin teknik dhe shpresoj që përmes kësaj do të kemi lëvizje dhe pastaj do të vendosim për aspektin politik”, tha Lipavsky.
Lipavsky po ashtu ka thënë se Çekia do ta përkrahë Kosovën në çështjen e sundimit të ligjit, por edhe në anëtarësim në organizata ndërkombëtare si NATO e BE.
“Mesazhi ynë është i qartë, qytetarëat e Kosovës mund të llogarisin në përkrahjen çeke sa i përket sundimit të ligjit, por edhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare përfshirë BE-në e NATO-n. Vizita ime e parë në Kosovë vjen në momentin kur Republika Çeke e ka Presidencën e BE-së. Dua të theksoj se Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosova, është ndër prioritetet rajonale. E përpjeket tona fokusohen tek të bërit progres në procesin e integrimit, përfshirë edhe liberalizimin e vizave. Janë takime teknike që pritet të rezultojnë me vendim pozitiv për Kosovën dhe Presidenca çeke po punon në këtë fushë e po e përkrahim këtë”, ka thënë Lipavsky.
Ai ka thënë se për t’u integruar në BE duhet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë dhe po ashtu ka bërë thirrje të implementohen gjitha marrëveshjet që arrihen nëpërmjet dialogut.
“Dua të them se normalizimi i marrëdhënieve është aspekt qenësorë për procesin e integrimit evropian. Pa sukses në këtë fushë është e pamundur të kemi sukses të përafrimit në BE. Duhet të dy palët të respektojnë e implementojnë marrëveshjet e arritura përmes dialogut”, tha Lipavsky.
Lexoni po ashtu: