Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë thënë se është kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë, BE-së dhe SHBA-së që menjëherë të lirohen tre policët kosovarë, të kidnapuar nga Serbia.
Ata kanë refuzuar të japin ultimatume se deri kur duhet të lirohen policët, por kanë thënë se kërkojnë që kjo të ndodhë menjëherë.
Të dy janë shprehur “shumë të shqetësuar” për situatën në veri të Kosovës.
“Ne themi menjëherë. Pozicioni ynë është se nëse janë kidnapuar apo kanë hyrë gabimisht në territorin e Serbisë, s’e kanë pasur këtë qëllim. Ata duhet të kthehen”, ka thënë Escobar në “Atlantic Council” të martën. Lajçak ka miratuar kërkesën e SHBA-së duke thënë se pajtohet me të.
Escobar ka thënë se Washingtoni zyrtar është shumë i shqetësuar, pasi që ajo që po ndodh në veri ka potencial për t’u shndërruar në një konfrontim rajonal.
“Jam shumë i shqetësuar. Kjo ka potencialin që të bëhet një konfrontim rajonal. Prandaj ne po mbështesim shumë përpjekjen evropiane. Aspiratat e vendeve janë për t’u bërë pjesë e Evropës. Si përkrahës kryesor të Kosovës, ne duam ta shohim pjesë të NATO,-s BE-së”, ka thënë Escobar.
Miroslav Lajcak ka thënë se fakti që janë në një intervistë të tillë bashkë tregon se Washingtoni dhe Brukseli janë bashkë.
Lajcak tutje tha se po qëndron në Washington për të pasur një seri takimesh dhe për të diskutuar hapat e radhës.
“Fakti që jemi këtu bashkë, tregon që po punojmë bashkë BE dhe SHBA. Jam këtu për të pasur një seri takimesh me partnerët këtu, sepse situata është mjaft kritike, dhe kemi nevojë për të diskutuar hapat e radhës. Situata është e tensionuar, s’kam pse e fsheh”, ka thënë Lajcak.


