Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot zhvilloi një takim me Këshillin Grevist, me ç’rast ka thënë se gjatë takimit sindikalistëve u janë ofruar tri opsione për dalje nga situata dhe se ata mbetën që të pyesin anëtarësinë, por që çuditërisht sa dolën nga takimi deklaruan se greva vazhdon.
Kryeministri Kurti së bashku me ministren e Arsimit Arbërie Nagavci dhe ministri e Financave, Hekuran Murati në orën 11:00 dolën në një konferencë për media, ku dhanë detaje nga takimi me sindikalistët.
Në fjalën e tij para gazetarëve Kurti ka thënë se gjatë takimit të sotëm me Këshillin Grevist ua ka paraqitur atyre tri oferta shtesë.
Mirëpo Kurti ka thënë se ndonëse Këshilli i premtoi atij se do t’i diskutonte ofertat në anëtarësinë, menjëherë pas takimit, ata thanë para mediave se greva do të vazhdojë.
“Ne ua thamë edhe tri gjëra sot grevistëve për të cilët ata neve na premtuan që do ta pyesin anëtarësinë. Por sa dolëm nga takimi deklaruan për media që greva vazhdon, kur e pyeten anëtarë: oferta shtesë ishte kjo: do të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për ligjin për pagat. Sepse diskutimet preliminare po përfundojnë. Dy të tjerat ishin që bashkërisht me BSPK-në do ta bëjmë reformën e sistemit pensionale duke e hequr atë pragun famëkeq prej 15 vjet përvojë punë dhe u zotuam që tek barnat esenciale do të shtojnë 10 milionë euro”, ka thënë Kurti, duke shtruar pyetjen se kur Jasharaj dhe sindikalistët pyeten brenda minutit anëtarësinë?
Ai ka shtuar se problemi mes qeverisë dhe SBASHK-ut nuk është mungesa e dialogut.
“Nuk është e vërtetë që s’ka pasur komunikim e dialog. Problemi që kemi nuk është për shkak të mungesës së dialogut apo komunikimit. Në takim disa herë mu tha që le të dalim prej kësaj situate edhe ju edhe ne, edhe qeveria edhe SBASHK. Në situatë të vështirë nuk janë as SBASHK-u as Qeveria po arsimi. Nuk mund të zhvilloj diskutim social me preokupim proritar me përfaqësuesit e sindikatave”, ka shtuar Kurti.
Kryeministri e ka quajtur shantazh dhe kërkesë për bërje pazar, kërkesën prej 100 euro shtesë në pagë.
“Kanë kërkuar 100 euro, ne kemi thënë 50, po o krejt o hiq. Nuk është e drejtë kjo lloj logjike e shantazhit dhe e bërjes pazar. Nuk bën pazare kryeministri dhe në pyetjen e tyre se qeveria ka para, sërish nuk e kanë ndjenjën e shtresave të cilat janë edhe më të varfra. Flasin për disa paga në nivelet përkatëse të tyre por në anën tjetër heshtnin të gjithë kur u thosha se i kemi më shumë se 100 mijë qytetarë që e kanë pagën më të ulët se paga minimale. Nuk do të duhej shtetit të shtantazhohet nga dikush që është më i zëshmi, dhe jo për kushtet re punës por për para. Unë dua që paga e mësimdhënësit të lidhet me nxënësit gjithnjë më të mençur e më të ditur që dalin çdo vit nga shkollat tona”, është shprehur ai.