Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se në veri të vendit, ka disa lloje të grupeve kriminale , të cilat sipas tij dirigjohen nga Serbia.
Ai në Kuvendin e Kosovës, tha se serbët lokalë, janë të shantazhuar e kërcënuar nga grupe të ndryshme kriminale. Sipas Kurtit, Kosova duhet ta mbrojë komunitetin serb, nga “milicia fashiste”.
“Më vjen keq që serbët detyrohen të dalin në protesta, sepse ata janë njerëzit më të palirë në Kosovë. Për shkak të Beogradit jo për shkak të Prishtinës. Ata duhet të çlirohen nga një milici fashiste. Sot nuk është në pyetje çlirimi i Kosovës, sot është në pyetje çlirimi i komunitetit serb nga milicia fashiste, ne duhet t’i ndihmojmë të çlirohen nga milicia fashiste, jo të dorëzohemi përballë tyre”, ka thënë ai.
Kurti tha se në veri ekziston tri lloje të grupeve që protestojnë, një sipas tij është mbrojtja civile, e cila sipas tij e adhuron Millosheviqin, e dyta është administrata publike e cila sipas tij kërcënohet me vend të punës dhe e trete siç i ka quajtur kompanitë e Radojciqit dhe Veselinoviqit.
“Nuk mund t’i mbyllë sytë kur grupet kriminale të llojit fashistë, kërcënojnë rendin kushtetues e ligjor të republikës, jam i vetëdijshëm që jo të gjithë ata që po marrin pjesë janë pjesë e grupeve të tilla. Por për shkak të presionit e kërcënimit të Beogradit, janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulmet e grupeve kriminale. Janë tri kategori. Kategoria e parë është mbrojtja civile, pjesa ekstremiste, që e admiron Millosheviqin e Putinit. Kategoria e dyte nga administrata publike, që nëse nuk dalin e humbin punën. Janë kompanitë e Radojciqave dhe Veselinoiqave, që i japin pushim punëtorëve me kusht të marrin pjesë në protesta, ia kushtëzojnë pjesëmarrjen”, ka thënë ai.