Republika e Kosovës nuk do të pranojnë rikthimin në qarkullim të targave KS të UNMIK-ut për veturat që qarkullojnë brenda territorit të Kosovës, si dhe është e vendosur dhe do të zbatojnë masa në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për masa reciproke si gjithë shtetet e pavarura.
Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti, të mërkurën gjatë një konference për media edhe pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
Ai shpalosi edhe në konferencë detajet nga takimi që zgjati me orë në Bruksel mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Kurti tha se në Bruksel ka shkuar me propozime konkrete dhe ka qenë i gatshëm që të nënshkruar ato për të cilat ka pasur dakordim më herët, por që pala serbe ka kundërshtuar të nënshkruar dokumentet.
“Unë kam shkuar atje me propozime konkrete. E dini që takimi ka qenë dashur të mbahet në korrik, por është shtyrë pasi pala serbe ka kërkuar shtyrjen. Ne e theksojmë se marrëveshja duhet ta ketë në qendër njohjen… por nuk ka patur gatishmëri nga pala tjetër për asnjë nënshkrim”, ka thënë Kurti.
Ai tha se deri sot nuk ka folur për takimin ën Bruksel, pasi që ka qenë një lloj dakordimi që mos të acarohet ecja përpara në dialog, por kjo nuk u respektuar nga pala serbe, e cila sipas tij, “duke përdorë retorika skandaloze edhe nuk po i kontribuon dialogut për marrëveshje”.
Në adresimin e tij para gazetarëve, Kurti përsëriti se vetë presidenti i Serbisë duke e nënshkruar marrëveshjen e vitit 2016, e ka pranuar që targat me akronimet KM, PR, PZ e UR janë ilegale dhe se mundësia për regjistrim me to është e përkohshme deri në vitin 2021.
“Targat me akronimet ilegale dhe ato me KS nuk ka nevojë dhe nuk mund të rikthehen më në qarkullim. Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron Kosovën si shtet sovran dhe buron prej kësaj shtetësie dhe këtij sovraniteti dhe nuk mund të legjitimojë neutralitet vetanak ndaj vetë statusit të saj, sepse njëri prej opsioneve ka qenë që ne të prodhojmë targa neutrale”, tregoi Kurti.
Ai theksoi se Republika e Kosovës nuk prodhon targa të UNMIK-ut dhe kjo do të jetë e pamundur sa të jetë në udhëheqje të Qeverisë.
“Opsionet që janë të pranueshme për ne janë sipas kushtetutës ligjeve dhe në parimet e reciprocitetit. Kërkesat që Kosova të prodhoj targa neutrale nuk vijnë në konsiderim me mua si kryeministër. RKS janë tabelat e Kosovës. Dhe kjo është në përputhje me zotimet e Beogradit në Bruksel dhe ata nuk duhet të prodhojnë targa me akronime të tilla. Targa të UNIMIK nuk prodhon Republika e Kosovës. Unë nuk do të isha kryeministër po të mos ishte Kosova shtet e Republikë dhe s’ka si të jetë ndryshe”, është shprehur Kurti.
Kryeministri Kurti ka kujtuar faktin se Kosova nuk mund të marrë vendime që e vënë në pikëpyetje pavarësinë e vendit, ndërsa tha se është i mjaftueshëm konsesioni që vendimi që do të duhej të zbatohej më 1 gusht të shtyhet për 1 shtator./KosovaNews/