Kuvendi i Kosovës po mban seancën e radhës, ndërsa deputetët dhe kabineti qeveritar po diskutojnë çështje të ndryshme.
Ajo më shumë që nxiti debat është greva në arsim, ku krerët e opozitës fajësuan Qeverinë që nuk gjeti zgjidhje dhe trysni ndaj sindikalistëve.
Madje në një rast deputeti e kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka marrë të drejtën e ka folur në emër të mësimdhënësve, duke kërcenuar në emër të tyre kryeministrin Albin Kurti.
“Ky Good guy i yni këtu, është i keqtrajtuar, i rrejtur dhe u rrit duke urrejt, prej që është bërë regjim, u kthye duke urrejt ata që e kanë pru këtu ku është. I ka urrejt regjimet, prej që është bërë regjim vet, s’po ka kon me urrejt më ja ka nis me i urrejt ata që e kanë pru këtu, armiqtë e brendshëm. Kush janë armiqtë e brendshëm, sindikatat, mësuesit me i urrejt, me i mujt. Ta tregojnë qejfin kur vjen vakti”, tha Haradinaj.
E në fjalimin në Kuvend, kryeministri Albin Kurti është shprehur i habitur se përse Haradinaj flet në emër të mësimdhënësve
A mes tjerash ka treguar për gjithë mbështetjen që ka bërë qeveria për qytetarët, ndërsa ka thënë nuk mund t’i trajtojë grevat në arsim si problem specifik.
“S’ka synim për triumfalizëm. Më 1 shtator kemi takuar kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin, dhe ia kemi ofruar triumfin ta publikojmë bashkë pakon për inflacion. Kam dashur që ata të bëhen pjesë e fitores. Është edhe rezultat i trysnisë së tyre pakoja që po e bëjmë. Ju ka pëlqyer, por nuk kanë pranuar pasi kanë dalë nga takimi e nuk e di me kë janë konsultuar. Ju ka pëlqyer ideja që po sjellim pako për përballje për inflacion. BASKK-ja do ta kishte triumfin më 2 shtator e të mos detyrohesha vetëm unë me ministrin ta prezantonim pakon më 3 shtator”, ka thënë Kurti.
Ai ka vazhduar se çmimet s’janë rritur vetëm për arsimtarët dhe se pakoja për përballje me inflacionin i prek të gjithë pasi produktet janë shtrenjtuar për të gjithë.
“Në markete nuk shkruan se këto produkte janë më shtrenjtë vetëm për mësimdhënësit”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se Vetëvendosje ka garuar me platformën për punësim dhe drejtësi, ndërsa ka shtuar se s’ka pasur synim për rritje pagash, por se kjo do të ndodhë me Ligjin për Paga.


