Erden Atiq, e ka nisur punën si kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut.
Ai tha se tashmë ka filluar edhe më emërimin e drejtorëve të rinj teksa shoti se do t’i vizitojë edhe punëtorët e administratës së komunës.
“Këto ditë kemi shumë punë për të bërë. Kam nisur me emërimin e drejtorëve dhe sot gjatë ditës do t’i vizitoj edhe punëtorët e administratës. Përveç mediave sot pres edhe shumë mysafir të tjerë”, ka thënë ai mëngjesin e sotëm.
Atiq përmendi edhe çështjen e Urës së Ibrit, për të cilën tha se tashmë është në dorën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.
“Për Urën e Ibrit tashmë kemi një vendim të asamblesë komunale dhe tani është në dorën e MAPL-së”, ka thënë ai.
Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje është betuar si kryetar i Mitrovicës së Veriut më 19 maj 2023, komunë e banuar me shumicë serbe. Ai është njëri nga katër kryetarët e zgjedhur në veri të Kosovës në zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga Lista Serbe. Tre kryetarët e tjerë nuk dihet kur dhe si do të nisin detyrën.


