Ad image

“Ballkani i Hapur”, Kosova ftohet me thirrjet për të parë drejt së ardhmes

Alban Begolli
Alban Begolli 11:58 -08/06/2022

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në hapjen e samitit të “Ballkanit të Hapur” në Ohër ka thënë se vendet në rajon duhet të afrohen në mënyrë qe të zgjidhen konfliktet. Ai ka thënë se nuk pajtohet me presidentin e Serbisë për temën e Kosovës por sipas tij duhet shikuar nga e ardhmja. Në fjalimin e tij ai ka përmendur shembuj të pajtimit të kombeve pas luftërave dhe sipas tij edhe Kosova dhe Serbia duhet të afrohen drejt bashkëpunimit.

Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se duke u afruar më shumë mund të arrihet paqe përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, transmeton KosovaNews.

Rama: Nuk pajtohem me presidentin e Serbisë për temën e Kosovës

“Besoj fort se sa më shumë ne të afrohemi aq më shumë shanse ka për ti’ zgjidhur edhe konfliktet, aq më shumë shanse ka që të bëhet paqe përfundimtare në mes të Serbisë dhe Kosovës. Një temë në të cilën unë nuk kam asnjë dakordësi me presidentin e Serbisë por këtu zgjidhja është shumë e thjeshtë, ose kjo mosdakordësi të kthehet një konflikt permanent me të gjitha ato boshllëqe që pastaj të mbeten në ekonominë tonë, në sigurinë tonë e kështu me radhë ose e kundërta duhet të bëhet, të afrohemi sa më shumë që të kuptojmë sa më shumë njëri-tjetrin dhe që në fund vet njerëzit të jenë të vetëdijshëm që e ardhshmja është shumë me rëndësishme sesa e shkuara”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë.

Rama ka thënë se ndodhen në nismën “Ballkani i Hapur” sepse duan të shkojnë drejt së ardhmes por pa i mbyllur sytë ndaj problemeve që sipas tij mund të zgjidhen vetëm duke u afruar.

Rama: Jemi këtu sepse duam të vazhdojmë të shkojmë drejt së ardhmes

“Sot jemi këtu pikërisht sepse duam të vazhdojmë të shkojmë drejt së ardhmes pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura për të bindur se problemet e pazgjidhura mund të zgjidhen vetëm nëse ne afrohemi. Po i kthehem prap ambasadorit Chris Hill i cili më tha diçka që nuk e kisha menduar asnjëherë, shumë thjeshtë, Shtetet e Bashkuara kanë hedhur dy bomba atomike në Japoni dhe një nga aleancat strategjike më të forta dhe nga miqësitë më të ngushta sot, dhe jo sot por prej shumë vitesh, në arenën ndërkombëtare është aleanca dhe miqësia e Shteteve të Bashkuara me Japoninë, mbas dy bombave atomike dhe urdhëroni se ku është sot Japonia dhe nuk do të ishte sot aty nëse do të vazhdonte sot e gjithë ditën të qëndronte me kurriz nga Shtetet e Bashkuara duke kërkuar më parë që Shtetet e Bashkuara të uleshin në gjunjë për bombat atomike, të gjitha gjërat kanë radhët e tyre”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se nuk e kanë pritur luftën në Ukrainë për të kuptuar marrëdhëniet speciale në mes të Serbisë dhe Rusisë dhe as për të ditur që në mes të Serbisë dhe Kosovës ekziston një konflikt ende i pazgjidhur.

Rama: Nuk e kemi pritur luftën në Ukrainë për të ditur marrëdhënien speciale Serbi-Rusi

“Në momentin e fillimit të luftës në Ukrainë kur filluan zëra të dëshiruar për ta importuar konfliktin nga Ukraina në Ballkan, përmes një retorike e cila është absurde dhe e cila, më falni ta them por, është e pështirë. Ne e dimë shumë mirë, nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për ta ditur marrëdhënien speciale që Serbia e ka me Rusinë, nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për të mësuar se mes Serbisë dhe Rusisë ka një histori, nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për t’u informuar se mes Serbisë dhe Kosovës ka një konflikt ende të pazgjidhur, këto i kemi ditur që të gjitha, por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe të kthimit të syve drejt të ardhmes ne kemi zgjedhur këtë të dytën”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në hapjen e samitit të Ballkanit të Hapur në Ohër, ka thënë se ftesa për t’u bashkuar në këtë nismë mbetet e hapur për kryeministrin e Kosovës. Ai iu ka bërë thirrje Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës që të bëhen pjesë e nismës që nisi si “minishengen ballkanik”.

Kovaçevski ka thënë se të gjithë në “Ballkanin e Hapur” janë të bindur që kjo nismë do të bëhet gjithnjë e më atraktive.

Kovaçevski: Ftesa për kryeministrin e Kosovës mbetët e hapur

“Ftesa për kryeministrin e Kosovës mbetet e hapur, jam e sigurt që benifitet e ‘Ballkanit të Hapur’ do të kenë përftim edhe shtetasit e Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, dhe besoj që ky samit do të bëjë një kthesë të papritur s i përket çështjes së ‘Ballkanit të Hapur’. ‘Ballkani i Hapur’ është për integrim, për mundësi të hapura për liri, kjo është për lehtësim për të ndihmuar dhe për miqësi. Të nderuar miq dhe mikesha nga Mali i Zi, Kosova dhe Bosnje Hercegovina, të nderuar miq, na bashkëngjitni të gjithë, së bashku mund të bëjmë më shume për ne dhe për fëmijët tanë”, ka thënë ai.

Kryeministri maqedonas ka thënë se kjo nismë është përkushtimi i tyre për një rajon të qëndrueshëm, për paqe zhvillim ekonomik.

Kovaçevski shtoi se çdo shtet i rajonit synon Bashkimin Evropian dhe sipas tij këto shtete nuk duhet të bllokojnë njëra-tjetrën.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se kjo nismë është e njerëzve të Ballkanit dhe e atyre që e kanë kuptuar që duhet të lidhen në mënyrë që vet t’i zgjidhin problemet e tyre.

Vuçiq: Çdo vendi i rajonit është i mirëseardhur

“Faleminderit zotëri Escobar, faleminderit Shteteve të Bashkuara që e mbështesin ketë iniciativë, Dritan, Zoran çdo herë jeni të mirëseardhur dhe mos u hidhëroni, nuk e kam atë nevojë dhe atë qasje apo sindorimin e kërkimit të faljes që ta flas çdo ditë, ju lutëm urdhëroni nëse dëshironi urdhëroni, nëse nuk dëshironi është dëshirë e juaja, askush nuk do t’ju detyrojë. Çdo herë jeni të mirëseardhur, i gëzohemi takimit me ju dhe shpresojmë që deri në fund të vitit në njërin nga vendet e juaja të mrekullueshme do të mund të organizojmë samitin e Ballkanit të Hapur”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se kjo nismë nuk mund të ndalet ndërsa ka shtuar që të gjitha vendet e rajonit janë të mirëseardhura.

Shpërndaje