Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e çon Kosovën drejt humbjes së përkrahjes së aleatëve dhe shtrirjes së sovranitetit.
Në debatin në Kuvend për situatën e tensionuar në veri dhe kritikat nga aleatët, Abdixhiku ka thënë se “Kosova po sulmohet nga bandat e kryeministri është në sulm fatkeq ndaj miqve e aleatëve ndërkombëtarë”.
“Si rrjedhojë Kosova ka përfunduar e përballur me tension e paaftësi për të ushtruar detyrat bazike kushtetuese të kryetarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike në veri, por edhe me dënim, sanksione e penalizim ndërkombëtar në përmasa të papara deri tash. Reagimet e Blinkenit, DASH-it, BE-së, NATO-s, shteteve mike kundër Kosovës në kauzë të drejtë janë si pasojë e keqveprimeve diplomatike dhe strategjike të një njeriu të vetëm, të atij që sot mban postin e kryeministrit. Ky që para pak kohësh ka pranuar publikisht se është informuar nga po këta miq mbi gjërat që nuk i dinte si kryeministër, të njëjtit njerëz sot janë ‘naivë’ e nuk dinë. Në këtë përballje me gjithë botën demokratike me aletet, përballja me bandat dhe vetë Serbinë mbetet në rend të dytë. Pa të parët, jo vetëm pa aleatë, por me aleatë kundër nesh, vendi ynë s’ka gjasë të shtrojë as sovranitetin, as integritetin e as stabilitetin. Vendi ynë ka gjasë të humbasë aleatët dhe sovranitetin. Dhe në këtë rrugë po na dërgon Albin Kurti sot”, ka thënë Abdixhiku.