Policia e Kosovës ka njoftuar se më 1 nëntor 2025 ka pranuar informacione për një rast të rëndë që dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të Leposaviqit, ku një qytetar i Kosovës, i nacionalitetit serb, është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës nga pjesëtarë të xhandarmërisë serbe.
Në komunikatën për media thuhet se vendi i ngjarjes gjendet në zonën e njohur si “pika zero (0)”, në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, ku Policia e Kosovës ka njoftuar dhe po bashkëpunon me KFOR-in, si forcë përgjegjëse për sigurinë në brezin kufitar.
Sipas dëshmive të mbledhura nga Policia, disa persona të maskuar dyshohet se kanë hyrë në territorin e Kosovës, ku kanë plagosur dhe rrëmbyer viktimën, të cilin më pas e kanë dërguar në territorin e Serbisë. Dëshmitarët kanë treguar se pas rrëmbimit, personi i plagosur është transportuar me autoambulancë në drejtim të qytetit të Nishit.
Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me institucionet përkatëse dhe me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Departamentin për Krime të Rënda, e cila ka iniciuar rastin.
Në fund, Policia ka theksuar se mbetet e përkushtuar në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në mënyrë profesionale dhe në bashkëpunim me të gjitha institucionet e sigurisë.


