Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shtuar patrullimet në zonat e përmbytura nga të reshurat e shiut. Sipas njoftimit, Policia ka shtuar prezencën nëpër zonat e prekura nga vërshimet si dhe janë duke koordinuar veprimet për reagime në ato zona ku ka nevojë.
“Njësitet policore, pos koordinimit me institucionet relevante po angazhohen edhe në shtimin e masave të sigurisë në trafik dhe riorientim të qarkullimit në ato rrugë që janë bllokuar ose kanë vështirësi në qarkullim”, ka njoftuar natën vonë Policia.
Sipas njoftimit, në pjesën veriore të vendit, disa nga pjesët ku ka vërshime më shumë nga uji janë: Lagja e Boshnjakëve ku uji ka depërtuar në disa shtëpi, magjistralja Mitrovicë-Bërnjak ka shembje të dheut, po ashtu rruga në fshatin Zubq, hyrja për në fshatin Varage ka shembje dheu, ndërsa rruga Qaber- Zubin Potok mbetet e bllokuar për shkak të shembjeve të gurëve dhe dheut.
“Në rrugët ku ka rrëshqitje dheu janë angazhuar edhe kompani për pastrimin dhe largimin e pengesave nga rruga”.
Si pasojë e të reshurave ka pasur nivel të shtuar të ujit edhe në rajone tjera, si në dy rrugë të Gjakovës, në Ujëmir të Klinës, në rajonin e Podujevës, në Istog dhe në rajonin e Mitrovicës Jugu, Skenderaj, etj.


