Policia e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar dy armë, një numër fishekësh, radio-lidhje e gjëra tjera nga një person në Leposaviq
Fillimisht Policia e Kosovës ka arrestuar një person, pasi që gjatë kontrollit i janë gjetur armët, dhe mandej në shtëpinë e tij janë gjetur edhe një numër fishekësh, radio-lidhje, jelek gjuetie, e gjëra tjera.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar dy armë gjuetie dhe disa fishekë pa leje valide. I njëjti ka pranuar se në shtëpinë e tij posedon edhe fishekë të tjerë dhe gjatë kontrollimit të shtëpisë së tij, janë gjetur dhe konfiskuar 88 fishekë, një GPS, 4 radiolidhje, jelek gjuetie, dy palë dylbi, një harkë me tri shtiza, një kamerë, dhe disa dokumente që ndërlidhen me armë të gjuetisë”, theksohet në njoftimin e Policisë.
Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.


