Policia e Kosovës ka dhënë detaje për 69-vjeçarin që dyshohet se vdiq pasi ra në lumin Morava, teksa thuhet se në trupin e tij nuk vërehet ndonjë plagë përveç disa gërvishtjeve të vogla që dyshohet se janë shkaktuar gjatë bartjes nga uji.
Bëhet e ditur se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion dhe rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.
“PKK Dheu i Bardhë 05.03.2024 – 15:50. Është raportuar se një mashkull kosovar derisa ka qenë buzë lumit Morava ka rënë në lum. Viktima është nxjerrë pa shenja jete nga lumi. Sipas mjekut në trupin e viktimës nuk vërehet ndonjë plagë përveç disa gërvishtjeve të vogla që dyshohet se janë shkaktuar gjatë bartjes nga uji. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion. Rasti në hetime”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, të martën konfirmoi se viktima dyshohet se ka rënë në lumin Morava afër pikës kufitare “Dheu i Bardhë”.
“Sipas informatave të para, i ndjeri së bashku me fëmijët e tij (djalin dhe vajzën) me veturë ishin nisur në drejtim të pikës kufitare ‘Dheu i Bardhë’. Në afërsi të parkingut afër pikës kufitare viktima është afruar afër lumit dhe dyshohet se ai aksidentalisht ka rënë në lumë. Janë njoftuar të gjitha njësitë përkatëse të cilat janë marrë me rastin”, ka thënë ndër të tjera Hashani.


