Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës në Gjakovë, pasi ai dyshohet se të dielën, rreth orës 21:00 e ka rrahur gruan.
Në njoftimin e Policisë thuhet se gruas për shkak të lëndimeve i është ofruar trajtim mjekësor.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.
Por, nuk është vetëm dhuna ndaj gruas që tashmë rëndojnë mbi gjakovarin.
Ai tashmë ngarkohet edhe me veprën penale mbajtje e armëve të zjarrit, të cilat pjesëtarët e Policisë së Kosovës i gjetën në shtëpinë e të dyshuarit, pasi kishin shkuar për rastin e rrahjes së gruas.
“Lidhur me rastin po ashtu është realizuar një bastisje në shtëpinë të dyshuarit me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar: një armë AK 47 me një karikator dhe 15 fishekë, një revole me një karikator dhe një këllëf i revoles”, thuhet në raportin e policisë.
Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë./KosovaNews/


