Nga data 12 deri më 18 maj 2025, në mbarë botën shënohet Java Globale e Sigurisë Rrugore. Këtë vit, tema qëndrore është: Të bëjmë ecjen dhe çiklizmin të sigurt.
Policia e Kosovës bashkohet me këtë fushatë ndërkombëtare, duke theksuar përkushtimin e saj në ofrimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Një vëmendje e veçantë i kushtohet mbrojtjes së këmbësorëve dhe çiklistëve, të cilët janë ndër më të rrezikuarit në komunikacionin rrugor.
Gjatë kësaj jave, Policia e Kosovës do të ndërmarrë aktivitete sensibilizuese dhe kontrolle të shtuara në rrugë, me synimin për të parandaluar aksidentet dhe për të promovuar një kulturë më të sigurt të lëvizjes në rrugë.
Qytetarët ftohen të respektojnë rregullat e trafikut dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit për një ambient më të sigurt rrugor për të gjithë.