Një njësi policore është sulmuar të hënën në Bistricë të Leposaviqit nga një veturë që po tentonte ta ndalojë për kontroll.
KosovaNews raportoi ekskluzivisht për rast dhe tashmë Policia e Kosovës jep edhe disa detaje të reja.
“Sot, më 23 janar në Bistricë të Leposaviqit, një njësi policore ka qenë e caktuar me detyrë zyrtare në pikë kontrolli, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe parandalimit të krimit e kontrabandës”, thuhet në njoftim..
Tutje bëhet e ditur se njësia policore e cila ka qenë në pikë kontrolli, gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri.
“Personat e dyshuar, së bashku me mjetin e tyre janë larguar nga vendi i ngjarjes, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke u kryer, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet nga Policia .
Lidhur me rastin, Policia e Kosovës thekson se ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës për procedura të mëtejme.
KosovaNews ditë më parë ka publikuar VIDEO të kësaj pike që ishte vendosur gjatë kohës së barrrikadave në veri.
Për më shumë shihni pamjet: