Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar një kontroll në një ndërtese kolektive në Mitrovicën Veriore, ku ka gjetur dhe konfiskuar armë dhe municion, përfshirë 8 karikatorë me fishekë dhe një tromblon.
Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të suksesshëm në Mitrovicën Veriore pas pranimit të një informacioni nga qytetarët mbi dyshimet për praninë e armëve. Në datën 16 prill 2025, njësitet policore kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe kanë kryer një kontroll të detajuar në podrumin e një ndërtese kolektive në rrugën “Ivo Lola Ribar” në Mitrovicën Veriore.
Gjatë kontrollit, janë gjetur dhe konfiskuar:
8 karikatorë me fishekë,
1 tromblon,
disa pajisje shtesë për montim në armë të destinuara për gjuajtje me tromblon.
Njësitë relevante të Policisë së Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për tërheqjen dhe sigurimin e materialeve të dyshuara në mënyrë të sigurt.
“Policia e Kosovës ka intervistuar një person në cilësi të dëshmitari, ka kontaktuar Prokurorin e shtetit dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës. Rreth rastit nuk ka person të arrestuar”, thuhet në njoftim.
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka theksuar angazhimin e saj të vazhdueshëm për luftimin e dukurive negative dhe për ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.