Policia e Kosovës ka mbajtur trajnim të përbashkët me ushtarët amerikanë të KFOR-it.
Në një njoftim zyrtar, PK-ja ka bërë të ditur se trajnimi përfshiu ndërhyrjen në pakot e dyshuara për bombë, veturën e dyshuar për bombë dhe aktivitete të tjera.
“Ky bashkëpunim operacional ndihmon në forcimin e aftësive të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave praktike dhe ngritjen e gatishmërisë për përballje me sfida të përbashkëta në fushën e sigurisë publike”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Ky është njoftimi i plotë:
Në Bazën e Njësive Speciale “Vrella”, është zhvilluar me sukses një trajnim i përbashkët ndërmjet Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksploduese të Policisë së Kosovës (NJTME) dhe KFOR US EOD.
Trajnimi ka përfshirë temat:
“Ndërhyrja në pakot e dyshuara për bombë”; “Hapja e veturës së dyshuar për bombë”.
Ky aktivitet është zhvilluar me qëllim të rritjes së kapaciteteve profesionale në identifikimin dhe çaktivizimin e mjeteve të improvizuara shpërthyese (IED).
Ky bashkëpunim operacional ndihmon në forcimin e aftësive të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave praktike dhe ngritjen e gatishmërisë për përballje me sfida të përbashkëta në fushën e sigurisë publike.


