Policia dhe Inspektorati Policor i Kosovës kanë pranuar donacionin 7 dronë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një ceremoni të organizuar të mërkurën.
Shtetet e Bashkuara ia kanë dhuruar Policisë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës shtatë dronë të mërkurën, të cilët do t’i shërbejnë kësaj force për misione vëzhguese dhe taktike, sipas ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Në një komunikatë për media dhe pas ceremoniës , Policia tani i ka prezantuar dronët që i ka marrë donacion.
“Me datën 11 tetor 2023, përmes konferencës zyrtare nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë z. Jeffrey Hovenier dhe kryeshefi i IPK-së z. Kushtrim Hodaj, u nënshkrua pranim-dorëzimi i donacionit me drona për Policinë e Kosovës dhe IPK-në, projekt/donacion i përbashkët ndërmjet INL-DOS dhe ICITAP-DOJ, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë”, thuhet në komunikatë
“Realizimi i këtij projekti do të ndikojë në mënyrë pozitive në luftimin e të gjitha akteve kriminale, do të ndihmojë drejtpërsëdrejti në kryerjen e aktiviteteve policore në terren si dhe do të rrisë efikasitetin e punës policore në shumë fushëveprime.”
Policia e Kosovës ka shprehur mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj PK-së.





