Një person me inicialet B.H. i lindur më 1988 është arrestuar të martën në Viti, nën dyshimin se një javë më herët kishte vjedhur një veturë me targa vendore dhe më pas brenda një shtëpie në fshatin Stubëll e Epërme kishte vjedhur stoli ari e sende të tjera me vlerë të konsiderueshme.
Siç thuhet në njoftimin e Policisë, identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarit ka ardhur “si rezultat i një pune të mirëorganizuar operacionale dhe veprimeve të shpejta hetimore”.
“Arrestimi i tij është bërë me dyshimin e bazuar se i njëjti me datën 24.10.2023 në rrugën ‘’Hoxhë Jonuzi’’ në qytetin e Vitisë dyshohet se është i involvuar në rastin e vjedhjes së një automjeti me targa vendore, po ashtu dyshohet se me po të njëjtën datë ky i dyshuar në fshatin Stubëll e Epërme duke depërtuar me forcë brenda shtëpisë së viktimës ku ka rritur që të vjedhje stoli ari dhe sende të tjera në vlerë të konsiderueshme”, thuhet në njoftim.
Automjeti i vjedhur i është kthyer pronarit legjitim.
I dyshuari është intervistuar dhe ndaj tij është lëshuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Policia ka thënë se prokuroria ka njoftuar se ndaj tij do të ngrihet kallëzim penale për veprat “vjedhje” dhe “vjedhje e rëndë”.


