Policia e Kosovës sot në një konferencë për media ka hedhur poshtë akuzat për dhunë ndaj të rinjve serbë në veri të Mitrovicës, duke thënë se një i mitur që ishte paraqitur kinse i përgjakur, në fakt ai më pas ka pranuar se nuk është prekur nga policia e Kosovës dhe shenja e kuqe në rrobat e tij ishte bërë me një marker.
Drejtori i përgjithshëm Gazmend Hoxha ka bërë të ditur se i mituri i komunitetit serb, i cili është shfaqur në disa medie serbe me gjak në disa pjesë të trupit, ku shihet edhe polici i Kosovës D.B., pas intervistimit të tij nga Policia e Kosovës, i mituri ka pranuar se shenjat nuk janë gjak dhe nuk janë bërë nga policia, por është marker me ngjyrë të kuqe.
Ai kishte pranuar se shenjat e tilla janë bërë nga shokët e tij të cilët po festonin maturën.
Policia e Kosovës gjithashtu ka siguruar dhe pamje e foto, ku i njëjti pas intervistimit shihet se nuk ka asnjë shenjë në trup dhe fyt.
Gazmend Hoxha ka sqaruar se polici serb, i cili kishte ndërhyrë pasi të rinjtë serbë kishin provokuar me këngë nacionaliste, është duke u kërcënuar vazhdimisht në rrjete sociale nga disa profile të cilët sipas tij ose janë brenda Kosovës në Mitrovicën e Veriut apo nga Beogradi zyrtar.
Kreu i policisë tha se po hetohet rasti dhe se do të verifikohen profilet prej nga po vijnë kërcënimet ndaj policit D.B.