Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Istog, Naim Behlulaj dhe drejtoresha e shkollës, Mimoza Kabashi përuruan sallën e sportit në ShFMU “Martin Camaj” në Gurrakoc të Istogut.
Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për sallën e re, e cila është investim i Ministrisë së Arsimit, në kuadër të punës së vazhdueshme për përmirësimin e cilësisë në arsim.
Duke folur për rëndësinë e padiskutueshme të shëndetit fizik të fëmijëve, ministrja Nagavci theksoi se, shëndeti i mirë është themeli i mirëqenies së tërësishme të njeriut, baza e individit të shëndoshë, të fortë, të zgjuar dhe kreativ dhe garancia më e mirë për formësimin e ardhmërisë sonë.
Drejtori i DKA-së në Istog u shpreh i lumtur për përurimin e kësaj salle dhe falënderoi ministren Nagavci për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve të qeverisjes.
Ndërsa, drejtoresha e Shkollës “Martin Camaj”, tha se ndjehet krenare me punën dhe suksesin e 553 nxënësve të kësaj shkolle, të cilët kanë përkatësi etnike të ndryshme.
Ndërtimi i sallës së sportit në shkollën “Martin Camaj” në Gurrakoc është investim i Ministrisë së Arsimit në vlerë rreth 300 mijë euro dhe hapësirë prej 750 m². Ndërsa, investimi total në komunën e Istogut gjatë katër viteve të fundit kap shifrën prej 4,484,091.26 euro.