Është përuruar sot reparti i Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës. I pranishëm në ceremoninë e përurimit ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Elvir Azizin.
Për funksionalizimin e këtij reparti janë shpenzuar rreth 1 milion euro, prej të cilave rreth gjysma e shumës është donacion nga shoqata “Nëna Terezë”, që operon në Gjermani me udhëheqës Shaqir Gashi dhe shoqata “Jetimat e Ballkanit”, me udhëheqësin Halil Kastrati.
“Nga investimi i përgjithshëm diku rreth gjysma e investimit është për infrastrukturë dhe inventar, ndërkaq gjysma tjetër përafërsisht është për pajisjet moderne mjekësore. Reparti ka 11 dhoma, dhomë për mjekim intensiv dhe 25 shtretër për hospitalizim. Reparti i vjetër kishte vetëm një dhomë me shtatë shtretër”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kryeministri Kurti theksoi se është kënaqësi që inaugurohet reparti i Pediatrisë, pasi siç tha ai ka qenë i bllokuar që prej 8 vitesh.
Ai tha shtoi se reparti do të ketë pajisje moderne mjekësore, të teknologjisë së fundit të cilat garantojnë kujdesin maksimal dhe mundësitë më të mira për shërim të plotë dhe të shpejtë pacientëve.
Objekti i ri, krahas infrastrukturës së re, do të ofrojë edhe shërbime të reja që përfshijnë shërbimin radiologjik dhe atë të spirometrisë, si dhe me aparaturën moderne do të mund të realizojë të gjitha analizat e nevojshme laboratorike për pacientët e këtij reparti.
Ushtruesja e detyrës së drejtores së Spitalit të Mitrovicës, Laura Nushi, duke falënderuar kryeministrin Kurti dhe ministrin Vitia, u zotua që më funksionalizimin e pediatrisë si një zgjidhje e një nyje 8-vjeçare, fëmijët e Mitrovicës do të marrin shërbime shumë më cilësore me angazhim dhe përkushtim maksimal të personelit shëndetësor.