Seanca e 44-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është shoqëruar me tensione, përplasje verbale, dhe të qeshura.
Ishte deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, i cili përkundër se fjala e tij u ndërpre disa herë nga kryesuesi Avni Dehari, Guri iu drejtua me tone ironike deputetes Pacolli, duke i thënë:
“Fitore, qa po kesh ti, a i ke kthy 200 mijë euro? Mos kesh Fitore se marre. Oj Fitore, mos bërtit moj!”, përcjell KosovaNews.
Ndërkaq, deputetja Pacolli, këtyre deklaratave të Gurit, iu është përgjegjur përmes një postimi në Facebook.
Ajo e ka quajtur të pavërtetë akuzën për 200 mijë euro dhe ka sfiduar Gurin që t’i kërkojë, ashtu siç ka bërë Kryeministri Kurti, korporatës Devolli të kthejë 62.6 milionë euro që i janë marrë Telekomit të Kosovës.
“Deputeti mirë do të ishte t’i kërkoj, siç ka kërkuar Kryeministri Kurti, nga pronari i korporatës Devolli që t’ia kthejë Telekomit të Kosovës 62.6 milionë euro që ia ka vjedh. Ai më kërkon mua të kthej 200 mijë euro për të cilat edhe ai e din që nuk ka asgjë të vërtetë aty. Devollit nuk guxon, prandaj nuk ia kërkon. Devolli i ka financuar dhe i financon atë dhe kolegët e tij të jenë në Kuvend.”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Ndërkohë, seanca e 44-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nisi me humor të mirë, kjo për shkak se kryesuesi i seancës Avni Dehari e ngatërronte mikrofonin me telefonin./KosovaNews/