Një përleshje fizike mes disa personave ka ndodhur të martën rreth orës 13:00 në lagjen Kalabria të Prishtinës, ku si pasojë dy persona kanë pësuar lëndime nga thika.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.
Ai bëri të ditur se të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor.
“Sapo është marrë informacioni, policia ka reaguar dhe ka dalë në vendin e ngjarjes. Nga të dhënat fillestare rezulton se dy persona janë lënduar me armë të ftohtë, konkretisht me thikë”, tha Borovci.
Policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme operativo-hetimore dhe ka bërë ekzaminimin e vendngjarjes. Si rezultat, është identifikuar personi i dyshuar, i cili më pas është paraqitur vetë në polici.
“Së bashku me prokurorin e shtetit, hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje”, shtoi Borovci.