Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka përfunduar trajnimin e edukatoreve për fillimin e procesit të pilotimit të Kurrikulës së Edukimit në Fëmijërinë e Hershme, e cila do të pilotohet në dhjetë komuna: Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjakovë, Prizren, Suharekë, Gjilan, Kaçanik, Pejë dhe Vushtrri.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci bashkë me anëtarët e tjerë të Kabinetit të saj kanë vizituar sot grupet e ndara të cilat kanë përfunduar trajnimin për Kurrikulën e re, e cila pritet që nga muaji shkurt i këtij vitit të fillojë të zbatohet në 12 institucione parashkollore dhe 20 klasë parafillore.
Ministrja Nagavci me këtë rast ka thënë se, MAShTI është kujdesur që në këtë proces të përfshihen të gjitha format e organizimit të procesit edukativ, në zonat urbane dhe zonat rurale, duke përfshirë institucionet parashkollore publike, private, publiko-private, qendrat me bazë në komunitet dhe klasat parafillore.
Ministrja Nagavci tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme puna e cila është duke u bërë në finalizimin e këtij dokumenti të rëndësishëm për edukimin e hershëm, ndërsa përdorimi i suksesshëm i tij në praktikë garanton edukim më të mirë për fëmijët tanë.
Gjatë bashkëbisedimit me pjesëmarrëset e grupeve të trajnimit, ministrja Nagavci tha se vizita e saj kishte për qëllim ofrimin e mbështetjes në punën e tyre, ndërsa vlerësoi faktin se në këtë proces MAShTI ka gëzuar përkrahje të madhe nga donatorët dhe është siguruar pjesëmarrja e përfaqësuesve të të gjitha institucioneve, në të gjitha nivelet.
Pikat kryesore në lidhje me të cilat u diskutua gjatë vizitës ishin përkufizimi i numrit të nxënësve në klasa, pushimi i institucioneve edukative, hapësirat adekuate, ndërsa sa i përket draftit të Kurrikulës pati vlerësime pozitive për përmbajtjen e dokumentit.
Ndryshe, në këtë proces trajnimi, nga institucionet e lartpërmendura janë përfshirë edukatoret, drejtoret e institucioneve parashkollore, psikologë\pedagogë të këtyre institucioneve, kordinatorë të cilesisë dhe zyrtarë komunal.
200 pjesëmarrës janë trajnuar për fazën e pilotimit të Kurrikulës për EFH dhe poashtu rreth 1200 fëmijë janë përfitues në këtë proces. Trajnimi për Kurrikulen e EFH është realizuar edhe për të gjithë inspektorët e arsimit në nivel vendi.


