Duke e përmbyllur mandatin e tij si Shef i Misionit të EULEXit, Giovanni Pietro Barbano organizoi të mërkurën një pritje lamtumirëse, ku morën pjesë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ish-presidentja Vjosa Osmani-Sadriu dhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ministra në Detyrë, krerë të organizatave ndërkombëtare, ambasadorë, përfaqësues të partive politike, organizata të shoqërisë civile dhe mysafirë të nderuar.
Sipas njoftimit të lëshuar nga EULEX, theksohet se gjatë eventit Haxhiu e falënderoi Barbanon për shërbimin dhe bashkëpunimin e tij.
“Ajo theksoi se Kosova e vlerëson profesionalizmin, seriozitetin institucional dhe qasjen respektuese, si dhe vuri në dukje se, në Kosovë, institucionet janë forcuar në kapacitete, profesionalizëm dhe llogaridhënie, duke vazhduar të kryejnë detyrat e tyre kushtetuese dhe demokratike”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin thuhet po ashtu se Barbano kujtoi se në thelbin e punës së EULEX-it gjithmonë kanë qenë qytetarët e Kosovës, duke e theksuar punën e besueshme dhe konstruktive të bërë nga Misioni në mbështetje të stabilitetit të Kosovës dhe forcimit të sundimit të ligjit, si dhe duke përkrahur llogaridhënien, transparencën dhe respektin për të drejtat e njeriut.


