Shoqata e Pensionistëve të Kosovës ka mbajtur një takim të shtunën në Ditën Ndërkombëtare të Pensionistëve, nga ku ka kërkuar ndihmë nga Qeveria për ta përballuar inflacionin e lartë në vend.
Pensionistët para takimit mbajtën një aksion simbolik para Qeverisë, me kërkesën për trajtim të dinjitetshëm ndaj tyre.
“Nëse nuk respektohet kjo moshë nga djemtë e vajzat tona, ata nuk i respektojnë as prindërit e vet. Kërkoj që të ndihet zëri i pensionistëve. Jemi në gjendje të vështirë, inflacioni ka mbërri 19 për qind”, ka thënë Shaban Kajtazi, kryetar i kësaj Shoqate.
Berat Zhinipotoku, përfaqësues i departamentit të pensioneve në Ministrinë e Financave, ka thënë se ndarja nga 100 euro për muajin tetor për pensionistët do ta zbusë sado pak krizë. Ai ka thënë se janë duke punuar se periudha gjashtëmujore për lajmërim që ka qenë deri tash të largohet.
“Si departament, ju mirëpresim në çdo kohë secilin, për secilën ankesë”, ka thënë ai.
Zhinipotoku ishte i vetmi përfaqësues institucional në këtë takim. Shoqata e Pensionistëve ka thënë se ata i kanë ftuar edhe krerët institucionalë, të cilët nuk ishin prezent.
Pensionistët kërkojnë ndryshimin e paraqitjes çdo gjashtë muaj për t’u lajmëruar se janë gjallë
Shoqata e Pensionistëve të Kosovës në ditën e tyre kanë mbajtur një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës.
Ata kanë lëshuar pëllumba para ndërtesës.
Po ashtu ata mbajtën në dorë pankartën “Dinjitet për Pensionistët” me anë të të cilës kërkojnë ndryshimin e paraqitjes së tyre çdo gjashtë muaj për t’u lajmëruar se janë gjallë për t’iu vazhduar pensioni i pleqërisë dhe sensibilizimin e deputetëve lidhur me pensionistët për skema pensionale.
Kujtojmë që pensionistët kanë kërkuar forma të tjera alternative, por jo edhe me prezencë fizike, që për moshën që kanë është e mundimshme.



