Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar ashpër pas një deklarate të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, i cili kishte cilësuar ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, si “e paedukatë”.
Peci e ka quajtur këtë deklaratë “jo vetëm e pakuptueshme e irituese, por edhe e tmerrshme”, duke e konsideruar si një fyerje jo vetëm për Donika Gërvallën, por për tërë familjen e saj dhe figurat kyçe të historisë shqiptare.
“Është jo vetëm e pakuptueshme e irituese, por edhe e tmerrshme të dëgjojmë Lumir Abdixhikun duke e cilësuar Donika Gërvallën si ‘e paedukatë’”, ka shkruar Peci.
Ai i ka kujtuar Abdixhikut rolin e familjes në edukimin e njeriut, duke nënvizuar rëndësinë historike dhe shpirtërore të familjes Gërvalla:
“Lumir, përgjegjëse primare dhe absolute për edukimin e një personi është familja. E, nëse i thua Donikës ‘e paedukatë’, ti e ke fyer heroin e Kosovës e frymëzimin patriotik e shpirtëror të gjeneratave, Jusuf Gërvallën, e ke fyer heroinën e Kosovës, Suzanën, atë që rriti e edukoi tre fëmijët shembullorë të heroit dhe e ke fyer Nanën Ajshe, që jo vetëm që është gjyshja e shtylla e kësaj familjeje, po është institucion i qenies shqiptare.”
Në vazhdim, Peci e ka pyetur publikisht Abdixhikun:
“A je n’vete se çka po fyen, Lumir?!”
Reagimi i ministrit përfshin edhe një përmendje të faktorëve që, sipas tij, kanë qenë kyç në historinë e qëndresës shqiptare, dhe me të cilët Donika Gërvalla është e lidhur ngushtë:
“Në mbijetesën e shqiptarit të gjysmës së dytë të shekullit 20 dhe në frymëzimin e tij për liri e pavarësi, rolin kryesor dhe burimin e kthesës historike e kanë:
– familja e fortë e shqiptarit,
– rënia frymëzuese e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut,
– lëvizja historike e Ibrahim Rugovës, dhe
– flijimi i familjes Jashari.”
“Në t’gjitha, Donika jonë është e lidhur pashkëputshëm: me lidhje gjaku, me vizion, me aktivitet 35 vjeçar dhe me respektin sublim.”
Në fund, ai ka përfunduar reagimin e tij me një goditje të drejtpërdrejtë:
“Ku je i lidhur ti me këto shtylla, o Lumir pishpiriku!”