Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas publikimit në media të një hulumtimi nga një media ku thuhet se pronari i njërës prej kompanive për përpunimin e nënprodukteve shtazore që e ka fituar kontratën në Ministrin e Bujqësisë, është një shtetas i Serbisë.
Peci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Qeveria e Kosovës i ka dhënë për interes publik fabrikën për trajtimin e mbetjeve shtazore një konsorciumi italiano-kosovar!”.
“Gjatë javëve që lamë pas, u përballëm me shpifje karshi funksionalizimit të Fabrikës së Përpunimit të Mbetjeve shtazore! Shpifja e parë që u demantua ishte aludimi se gjoja, nuk ka bazë ligjore. E vërtetuam se baza ligjore ekziston. Shpifja e dytë ishte se kompania nuk ishte konzorcium. U vërtetua se është konzorcium!”, ka shkruar Peci.
Tutje Peci thotë se “kriteret e shpalljes për Operatorit Ekonomik ose konsorciumit që duhet të ketë përvojë në përpunim, kalkuloheshin qëllimshëm dhe me keqdashje si kosto dhe barrë e Qeverisë!”.
“Citohej gabim dokumenti që kërkonte vlerësimin e pronës në Ulpianë, të para dy viteve, i vendosej një aneks tjetër i një dokumenti dhe prezantohej si dokument për vlerësimin e tokës në Drenas ku një pjesë është moçal! Tash, kanë filluar të pavërtetat rreth shtetësive të aksionarëve! Qeveria e Kosovës, ka dhënë për shfrytëzim fabrikën në fjalë, një konzorciumi italiano-kosova”, thotë ai.
Peci thotë se “nuk është as në dorë të Ministrit e as të Ministrisë/Agjencisë që të jetë në rrjedha e të pretendojë të kontrollojë se kush kujt i shet apo i blen aksione në marrëdhënie kontraktuale”.
“Sfidojmë gazetarinë hulumtuese e cila është shumë e nevojshme në të tilla raste, që të gjejë se ku qëndron shkelja në procedurë të dhënies me qira dhe funksionalizimit të fabrikës. Procesi i regjistrimit në ARBK kërkon përfaqsues të kompanisë/konzorciumit, por nuk ka bazë ligjore që të kërkohet të dihet edhe nacionaliteti i aksionarëve të kompanisë/konzorciumit që regjistrohet”.
Ai thotë se “si ministër për sa më takon dhe di rreth kësaj teme, e për sa kam qenë i involvuar në këtë proces, nga dita e nesërme do të jem në çdo studio televizive, për ta sqaruar këtë temë”.
“Gjithashtu, të njëjtët le ta gjejnë bazën ligjore e cila mundëson eleminimin e konkurrencës në proces të shit-blerjes së aksioneve, për arsye të shtetësisë së një aksionari apo një tjetri”.
Ai thotë se “në asnjë shpallje publike, pavarësisht që nuk është serb njëri nga aksionarët, eliminimi i dikujt mbi bazën e përkatësisë etnike ose të shtetësisë do të përbënte qasje raciste, shkelje ligjore dhe vepër penale”.
“Nëse në vend të Muhamer Ragipoviq aksionari do ta kishte emrin Muhamed Ragipi, shqiptar i Luginës por shtetas i Serbisë, a do të kishte raportimi të njëjtin titull, insinuate dhe jehonë? Jo. Atëherë pse gjithë kjo zhurmë për një boshnjak/musliman nga Novi Pazari?”, ka shkruar Peci.